IPKO do të transmetojë ligat evropiane!!!
Kompania IPKO dhe Digitalb kanë arritur që të sigurojnë ekskluzivitetin e transmetimit të ligës angleze në futboll, atë italiane, spanjolle, Ligën e Kampionëve, si dhe të ngjarjeve të tjera sportive.
Në një konferencë për gazetarë, IPKO ka njoftuar se komentatorëve të ndeshjeve sportive në televizionin Digitalb – IPKO do t’u bashkohet edhe gazetari i mirënjohur sportiv, Andin Lokaj.
Alban Kastrati, përgjegjës për marrëdhënie me publikun në IPKO, tha para gazetarëve se kompania IPKO dhe Digitalb, tashmë janë të vetmit në Kosovë që kanë arritur të sigurojnë ekskluzivitetin e transmetimit të ngjarjeve më të mëdha sportive të botës.
“Digitalb dhe IPKO kanë arritur që të sigurojnë një pjesë të madhe të të drejtave televizive sa i përket ngjarjeve sportive, mirëpo jo vetëm ngjarjeve sportive, duke e ditur që pako e televizionit Digitalb-IPKO, ofron shumë më shumë se sa vetëm sport, duke përfshirë muzikën, filmat, filmat dokumentarë dhe programe për fëmijë dhe gjithçka tjetër sa i përket përmbajtjes televizive”, ka thënë Kastrati, transmeton KosovaPress.
Po sot IPKO njoftoi se tash e tutje pakot Duo Premium dhe Pako Premium, me produkte të reja, do të mund të blihen edhe për periudhën gjashtëmujore.
Kurse komentatori Andin Lokaj tha se në platformën SuperSportit, sivjet, përveç futbollit dhe ligave evropiane, do të transmetohen edhe kampionatin botëror i basketbollit, Formula 1, si dhe shumë ngjarje të tjera sportive.
“Prej këtij viti dhe vitet në vijim do të kemi ligat më të mirë, më të forta të futbollit evropian, duke filluar nga 14 gushti me Premier Ligën e Anglisë; një javë më vonë starton Bundesliga gjermane. Ekskluzivisht, të gjitha këto transmetime do t’i kemi në Digitalb. Mos të harrojmë kampionatin botëror të basketbollit i cili fillon më 28 gusht, kampionati italian Serie A ekskluzive, pastaj Kupa e Spanjës, kampionati i Holandës dhe kampionati i Portugalisë; Liga e Kampionëve që është evenimenti kryesor në Evropë, si dhe Liga e Evropës”, ka thënë ai
Lokaj ka theksuar se Digitalb për herë të parë u ka ofruar mundësinë e komentimit të ndeshjeve sportive edhe komentatorëve kosovarë, në mesin e të cilëve do të jetë dhe ai.
IPKO zbuloi sot se nga shtatori, do të nisë të ofrojë teknologjinë e fundit televizive High Definition, duke u bërë kompania e parë në Kosovë që sjellë këtë teknikë kualitative.
Risi tjetër e IPKO-së që u prezantua në këtë konferencë, ishte se në vitin 2011 në televizionin Digitalb - IPKO të sillet edhe “Video On Demand”.